8 hadiths
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur muslimani, - ose ka thënë: 'besimtari', - merr abdes dhe e lan fytyrën, prej fytyrës së tij së bashku me ujin, - ose ka thënë: 'me pikën e fundit të ujit', - del çdo mëkat, të cilin e ka bërë përmes syve; kur i lan duart, prej duarve të tij së bashku me ujin, - ose ka thënë: 'me pikën e fundit të ujit', - del çdo mëkat që e ka bërë me duar; dhe, kur i lan këmbët, prej këmbëve të tij së bashku me ujin, - ose ka thënë: 'me pikën e fundit të ujit', - del çdo mëkat të cilin e ka bërë me këmbë, derisa, në fund, mbetet i pastër prej mëkateve.”Transmeton Muslimi
Ebu Malik el Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcjell se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Pastërtia është gjysma e imanit, (thënia) "elhamdulilah" e rëndon peshoren, (thëniet:) "subhanallah" (i patëmeta është Allahu) dhe "elhamdulilah" (lavdërimi i takon Allahut) mbushin, - ose e mbush, - hapësirën ndërmjet qiejve dhe Tokës. Namazi është nur, lëmosha është dëshmi, durimi është ndriçim dhe Kurani është argument, për ose kundër teje. Andaj, çdo njeri, kur zgjohet në mëngjes, ose do ta shesë veten duke e liruar atë, ose do të vetëshkatërrohet."Transmeton Muslimi