24 hadiths
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu i Lartmadhëruar thotë: “Unë, për robin Tim, jam ashtu siç ai mendon për Mua. Jam me të kur ai më përmend: nëse më përmend në vete, edhe Unë e përmend në Vete, e, nëse më përmend në grup (para të tjerëve), Unë e përmend në një grup më të mirë se ata. Nëse ai më afrohet sa një pëllëmbë, Unë i afrohem sa një kut, e nëse më afrohet sa një kut, Unë i afrohem sa një pash. Nëse ai më vjen duke ecur, Unë i shkoj duke nxituar.”Muttefek alejhi
Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se Profeti ﷺ tregon se Allahu i Lartësuar thotë: "O robërit e Mi! Unë ia kam ndaluar Vetes padrejtësinë dhe e kam bërë të ndaluar edhe ndërmjet jush, andaj mos i bëni padrejtësi njëri-tjetrit. O robërit e Mi! Të gjithë jeni të devijuar, përveç atij që Unë e udhëzoj, andaj më kërkoni udhëzim, që t'ju udhëzoj. O robërit e Mi! Të gjithë jeni të uritur, përveç atij që Unë e ushqej, andaj më kërkoni ushqim, që t'ju ushqej. O robërit e Mi! Të gjithë jeni të zhveshur, përveç atij që Unë e vesh, andaj më kërkoni veshmbathje, që t'ju furnizoj me të. O robërit e Mi! Ju bëni gabime natë e ditë, ndërsa Unë i fal të gjitha mëkatet, andaj më kërkoni falje, që t'ju fal. Ju kurrë nuk do të arrini të më bëni dëm e as që do të keni mundësi të më bëni dobi. O robërit e Mi, edhe po qe se të gjithë ju, i pari e i fundit, përfshirë njerëzit e xhinët, bëheni si njeriu më zemërmirë prej jush, kjo gjë aspak nuk do ta shtonte sundimin Tim. O robërit e Mi, edhe nëse të gjithë njerëzit e xhinët, fillim e mbarim, bëheni si njeriu më zemërprishur nga mesi juaj, kjo gjë as që do të pakonte sundimin Tim. O robërit e Mi, në qoftë se të gjithë njerëzit e xhinët, fund e krye, tubohen në një vend, më drejtohen me kërkesa e Unë i jap gjithsecilit atë që kërkon, kjo nuk do të pakësonte asgjë nga ajo që gjendet tek Unë, respektivisht aq sa përthith gjilpëra kur futet në det. O robërit e Mi! Vërtet ato janë veprat tuaja, të cilat i ruaj e më pas jua shpërblej, kështu që, kushdo që gjen mirë, le ta falënderojë Allahun, ndërkaq, ai që gjen keq, le ta qortojë vetëm vetveten."Transmeton Muslimi
Nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Allahu i Madhëruar ka thënë: "Unë i shpall luftë atij që shfaq armiqësi ndaj mikut Tim! Veprat më të dashura me të cilat më afrohet robi Im, janë ato të cilat Unë ia kam bërë detyrim atij. Robi im më afrohet vazhdimisht, duke kryer vepra nafile (vullnetare), derisa Unë ta dua atë. E kur Unë ta dua atë, atëherë do të bëhem veshi i tij me të cilin dëgjon, syri i tij me të cilin shikon, dora e tij me të cilën godet, këmba e tij me të cilën ecën dhe nëse ai më kërkon diçka, do t'ia jap atë e nëse më kërkon ta mbroj, do ta mbroj atë. Unë nuk ngurroj për asnjë punë sa ç'ngurroj të marr shpirtin e një besimtari, sepse ai e urren vdekjen dhe Unë urrej t'i bëj keq atij".Transmeton Buhariu