8 hadiths
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu i Lartmadhëruar thotë: “Unë, për robin Tim, jam ashtu siç ai mendon për Mua. Jam me të kur ai më përmend: nëse më përmend në vete, edhe Unë e përmend në Vete, e, nëse më përmend në grup (para të tjerëve), Unë e përmend në një grup më të mirë se ata. Nëse ai më afrohet sa një pëllëmbë, Unë i afrohem sa një kut, e nëse më afrohet sa një kut, Unë i afrohem sa një pash. Nëse ai më vjen duke ecur, Unë i shkoj duke nxituar.”Muttefek alejhi
Ebu Malik el Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcjell se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Pastërtia është gjysma e imanit, (thënia) "elhamdulilah" e rëndon peshoren, (thëniet:) "subhanallah" (i patëmeta është Allahu) dhe "elhamdulilah" (lavdërimi i takon Allahut) mbushin, - ose e mbush, - hapësirën ndërmjet qiejve dhe Tokës. Namazi është nur, lëmosha është dëshmi, durimi është ndriçim dhe Kurani është argument, për ose kundër teje. Andaj, çdo njeri, kur zgjohet në mëngjes, ose do ta shesë veten duke e liruar atë, ose do të vetëshkatërrohet."Transmeton Muslimi
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Shtatë lloj personash Allahu do t'i strehojë në hijen e Arshit të Tij në Ditën e Kiametit, ditën kur nuk ka hije përveç hijes së Arshit të Tij: 1. Prijësin e drejtë. 2. Të riun, i cili rritet duke e adhuruar Allahun. 3. Atë që e ka zemrën të lidhur me xhamitë. 4. Dy persona që duhen mes vetes për hir të Allahut. Bashkohen dhe ndahen vetëm për Të. 5. Personin, që një grua e bukur dhe me famë e fton për zina, porse ai ia kthen: “Unë i frikohem Allahut". 6. Personin që, kur jep lëmoshë, e fsheh, saqë dora e majtë nuk di sa ka dhënë e djathta.” 7. Personin, i cili, kur e përmend Allahun vetëm, i lotojnë sytë."Muttefek alejhi