Hadith for the World
Zbutja e zemrave (er-rakaik) dhe këshillat

Dëlirja e shpirtit

9 hadiths

9 hadiths

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Sprova vazhdon ta godasë besimtarin dhe besimtaren në vetet e tyre, fëmijët dhe pasurinë derisa ta takojnë Allahun dhe të mos kenë mëkate fare."Transmetojnë Tirmidhiu dhe Ahmedi
Suhejbi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Sa e çuditshme që është çështja e besimtarit: gjithçka që e godet atë, është në të mirën e tij dhe kjo nuk është për askënd përveç besimtarit. Kur e kaplon ndonjë begati, ai falënderon, gjë që është në të mirën e tij, e, nëse e godet ndonjë vështirësi, ai bën durim, gjë që është po në të mirën e tij.”Transmeton Muslimi
Abdullah ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "I Dërguari i Allahut ﷺ më kapi për supi dhe më tha: “Jeto në dynja sikurse të jesh i huaj a kalimtar.” Ndërkaq, Ibën Umeri thoshte: “Kur të ngrysesh, mos e prit mëngjesin dhe kur të gdhihesh, mos e prit mbrëmjen. Shfrytëzoje shëndetin para se të sëmuresh dhe shfrytëzoje jetën para se të të vijë vdekja.”Transmeton Buhariu
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Mos kini zili ndaj njëri-tjetrit, mos e mashtroni njëri-tjetrin, mos e urreni njëri-tjetrin, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit, mos ndërhyni në shitblerjen e njëri-tjetrit. Bëhuni robër të Allahut, vëllezër të vërtetë. Muslimani është vëlla i muslimanit: nuk i bën padrejtësi, nuk e tradhton, nuk e gënjen e as nuk e poshtëron. Devotshmëria është këtu.” - duke bërë me shenjë në gjoksin e tij tri herë. “I mjafton si e keqe njeriut ta përulë vëllanë e vet musliman. Kundrejt muslimanit, muslimani në tërësi është i paprekshëm: gjaku, pasuria dhe nderi i tij.”Transmeton Muslimi
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Shikoni ata që janë poshtë jush e mos i shikoni ata që janë sipër jush, sepse kështu ka më pak gjasa që të mos i përçmoni begatitë e Allahut ndaj jush.”Muttefek alejhi
Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Ndaj dy mirësive shumica e njerëzve janë të shkujdesur: Ndaj shëndetit dhe kohës së lirë.”Transmeton Buhariu
Ebu Malik el Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcjell se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Pastërtia është gjysma e imanit, (thënia) "elhamdulilah" e rëndon peshoren, (thëniet:) "subhanallah" (i patëmeta është Allahu) dhe "elhamdulilah" (lavdërimi i takon Allahut) mbushin, - ose e mbush, - hapësirën ndërmjet qiejve dhe Tokës. Namazi është nur, lëmosha është dëshmi, durimi është ndriçim dhe Kurani është argument, për ose kundër teje. Andaj, çdo njeri, kur zgjohet në mëngjes, ose do ta shesë veten duke e liruar atë, ose do të vetëshkatërrohet."Transmeton Muslimi
Sufjan ibën Abdullah Thekafiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "Thashë: "O i Dërguari i Allahut, më thuaj një fjalë lidhur me Islamin, që, pas teje, nuk do të kem nevojë të pyes askënd." I Dërguari ﷺ tha: "Thuaj: "Besoj në Allahun e pastaj qëndro fuqishëm!"Transmetojnë Muslimi dhe Ahmedi
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Shtatë lloj personash Allahu do t'i strehojë në hijen e Arshit të Tij në Ditën e Kiametit, ditën kur nuk ka hije përveç hijes së Arshit të Tij: 1. Prijësin e drejtë. 2. Të riun, i cili rritet duke e adhuruar Allahun. 3. Atë që e ka zemrën të lidhur me xhamitë. 4. Dy persona që duhen mes vetes për hir të Allahut. Bashkohen dhe ndahen vetëm për Të. 5. Personin, që një grua e bukur dhe me famë e fton për zina, porse ai ia kthen: “Unë i frikohem Allahut". 6. Personin që, kur jep lëmoshë, e fsheh, saqë dora e majtë nuk di sa ka dhënë e djathta.” 7. Personin, i cili, kur e përmend Allahun vetëm, i lotojnë sytë."Muttefek alejhi